Tiranë, më 11 mars 2009

 

 

Ministri Beja uron nxënësit e talentuar: Ju jeni shembuj për bashkëmoshatarët tuaj

 

Ministri i Arsimit dhe Shkencës z. Fatos Beja priti sot dy nxënës të talentuar, Aurora Kapo 7 vjeç nga Durrësi fituese e Festivalit Evropian për Fëmijë dhe Drit Sokoli, 19 vjeç nga Shkodra, fitues i Medaljes së Artë për shkollat e mesme për vitin 2008.

Në një fjalim të shkurtër për mediat, pasi uroi të rinjtë në zyrën e tij dhe i dorëzoi Medaljen e Artë nxënësit Drit Sokoli, Ministri Beja u shpreh se:

”Me shumë kënaqësi, sot në MASH ne presim dy fëmijë, dy fitues, dy nxënës të cilët me meritat e tyre kanë nderuar veten, familjen, mësuesit e tyre, të gjithëve ne. Aurora e cila ka dalë kampione në Evropë, shumë para vendit të dytë, që ishte Franca. Një këngëtare e vogël, e cila ne të gjithë besojmë, do të na nderojë edhe në konkurrime të tjera ndërkombëtare.

Driti ka marrë medaljen e artë duke u dalluar ndërmjet të gjithë maturantëve të

Shqipërisë për rezultatet e arritura. Ne presim që Driti përsëri të jetë një përfaqësues i denjë i brezit të tij që edhe ai të jetë nder për të gjithë ne, për veten, familjen dhe mësuesit e tij. Unë uroj të dy nxënësve të jenë edhe në të ardhmen të parët. Të marrin pjesë në aktivitetet e ndryshme, të na nderojnë gjithmonë, vendin dhe brezin e tyre.”

Ministri Beja përgëzoi kompozitorin e këngës fituese si dhe mësuesit e prindrit e pranishëm dhe shtoi se dyert e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës do të jenë gjithmonë të hapura për nxënësit dhe studentët e talentuar në mësime apo në arte për ti promovuar ata si shembuj për brezin e tyre, por edhe për brezat që do të vijnë.

Të dy nxënësit bashkë me shoqëruesit e tyre falenderuan Ministrin e Arsimit për pritjen që u bë në MASH dhe për dhuratat simbolike, një Lap top dhe një set librash shkencorë për medalistin dhe një set me libra për fëmijë për këngëtaren e vogël.