MASH oraganizon Konferencėn Kombėtare Reforma e Mėsuesisė, Formimi Universitar i mėsuesve sipas standardeve evropiane.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës, oraganizoi Konferencën Kombëtare “Reforma e Mësuesisë”, Formimi Universitar i mësuesve sipas standardeve evropiane.
Gjatë fjalës së tij Ministri i Arsimit dhe Shkencës z. Myqerem Tafaj referoi mbi reformat e Mësuesisë si faktor kyç për një arsim të standardeve europiane.
Më poshtë vijon e plotë fjala e Ministrit Tafaj:
I nderuar Z. Kryeministër Berisha,
Të nderuar rektorë, dekanë, pedagogë dhe mësues,
Zonja e zotërinj.
Arsimi shqiptar po përjeton në të gjitha nivelet e tij një reformë të thellë e të gjithanshme, e nisur me fillimin e mandatit të parë të Qeverisë Berisha. Efektet e kësaj reforme janë të prekshme në të gjitha aspektet:akses, përmbajtje, burime njerëzore, ICT, infranstrukturë dhe qeverisje e menaxhim. Kjo reformë po vazhdon të thellohet dhe synon, mbi të gjitha, një arsim gjithpërfshirës, pjesëmarrje të gjerë të të rinjve, pavarësisht nga statusi social, dhe cilësi të krahasueshme me atë në vendet e zhvilluara.
Të nderuar mësues dhe pedagogë,
Rezultatet e admirueshme të reformave në arsim vërtet janë projektuar dhe financuar nga qeveria, por, mbi të gjitha janë vepra juaj. Po, ju i bëtë ato. Mësuesit realizuan shtrirjen e ICT në shkolla. Mësuesit reformuan dhe po zbatojnë kurrikulën e re në arsim. Mësuesit zbatuan me përkushtim maksimal dhe transparencë Maturën Shtetërore. Ju, të nderuar pedagogë, profesorë dhe drejtues të universiteteve implementuat me seriozitet standardet e Bolonjës në të tri nivelet vetëm brenda 4 vitesh.
Dhe kjo në fakt e rikonfirmon atë që ka thënë M. Fullan:’’Ndryshimi në arsim varet nga ajo që bëjnë dhe mendojnë mësuesit- është pikërisht kaq e thjeshtë dhe, njëkohësisht kaq e ndërlikuar”
Zoti Kryeministër,
Unë mëndoj se shqiptarët do të jenë mirënjohës për vizionin që Ju shpalosët në vitin 2005 duke vlerësuar arsimin si kryefjalë të programit tuaj. Dhe Ju shpalosët jo vetëm vizion por edhe ndërmorrët dhe po vazhdoni reformat ë thella për të modernizuar arsimin shqiptar. Në të njëjtën mënyrë, mendoj se mësueset dhe mësuesit e Shqipërisë do të jenë mirënjohës për vizionin dhe vendosmërinë Tuaj për rritjen e statusit të mësuesit. Sot profesioni i mësuesit ka një vend dinjitoz në piramidën e pagave të sektorit tonë publik dhe ai është ndër profesionet më të kërkuara në vendin tonë. Ky është një sukses i madh dhe një bazë e sigurt për zhvillimin e shpejtë dhe modernizimin e arsimit tonë.
Zonja e zotërinj,
Edhe pse janë bërë hapa shumë të mëdha për ndryshimin e arsimit tonë, ne jemi të gjithë të vetëdijshëm se jemi ende në fillim të një rruge të gjatë për ta çuar arsimin tonë aty ku kemi aspiruar, në lartësinë e arsimit europian, si paraprirës i Shqipërisë europiane.
Ky ndryshim është i shtrenjtë dhe shumë i mundimshëm, por një investim i çmuar për të ardhmen. Ky ndryshim është i vështirë dhe i mundimshëm, sepse ndodh në një shekull ku sistemet arsmiore ndryshojnë me shpejtësi dhe standardet, aftësitë dhe kualifikimet rriten çdo ditë. Ky ndryshim është i vështirë, sepse duhet të formatojë një sistem arsimor, i cili shkollon nxënës dhe studentë që do të jenë bartës të zhvillimit të gjithanshëm ekonomik, shoqëror në dekadat që vijnë, ku fatet e secilit përcaktohen, në rradhë të parë, nga aftësia për të konkurruar në tregun global të punës, të një ekonomie dhe shoqërie të mbështetur në dije.
Shqipëria mund të investoj shumë për infastrukurë fizike, laboratorë, IT, mund të adaptojë kurrikula moderne nga vendet që janë në pararojë të standardeve internacionale, etj. Por akoma nuk është e sigurtë se qëllimi arrihet. Dhe pse? Sepse faktori kyc, të nderuar zonja e zotërinj, mbetet mësuesi, pedagogu, profesori, shkencëtari.
Në sistemin e arsimit bazë dhe atë të mesëm po zbatohet një curriculë e re, e cila ka objektiva krejt të tjera dhe synon standarde europiane të dijeve, aftësive dhe të cilësisë në tërësi. ICT u bë motorri i vërtetë i ndryshimit tërësor në arsim. Është tashmë e vërtetuar shkencërisht, një rritje rreth 20% në cilësinë e nxënësve në shkollë, për shkak të përdorimit të IT.
Ja pse, të nderuar zonja dhe zotërinj, ne organizojmë sot këtë konferencë për Reformën në Mësuesi. Ajo do të fokusohet kryesisht në reformimin e studimeve universitare në këtë fushë.
Objektivat e kësaj reforme u përgjigjen pyetjeve: - Çfarë pritet sot nga një mësues? Çfarë aftësish dhe kualifikimesh duhet të ketë ai/ajo? Kualifikimi solid shkencor ndërdisplinor dhe aftësimi didaktik janë të domosdoshme akoma në ditët e sotme, më shumë (roli si mësimdhënës). Aftësia si edukator, që kërkon një nivel shumë më të lartë të zotërimit të teorisë pedagogjike, sociologjike dhe psikologjike të zhvillimit dhe socializimit të fëmijëve e të të rinjve (roli i edukatorit). Zotërimi i instrumenteve të vlerësimit të kushteve ku zhvillohet procesi i shkollimit dhe efektit të tyre në mësimdhënie dhe mësimnxënie, është një parakusht i rëndësishëm, për shkak të ndryshueshmërisë shpesh, shumë të madhe, të mjedisit ku realizohet procesi i shkollimit (roli i vlerësuesit). Por mësuesi në këtë shekull nuk është vetëm një mësimdhënës. Shumë më tepër se kaq. Rreth 20 % të kohës së tij të punës e zënë veprimtaritë që lidhen me kualifikimin e vazhduar, organizimin, menaxhimin e shkollës dhe qeverisjen, nëse do të shpreheshim kështu, të sistemit, çka do të thotë që mësuesi duhet të njohë mirë edhe bazat dhe strukturën e sistemit arsimor dhe të organizimit të shkollës (rolin e inovatorit).
Cila është gjendja e sistemit të sotëm të formimit universitar të mësuesve në vendin tonë?
Sistemi ka një numër shumë më të madh studentësh se sa nevojat e vendit, kur dihet që diplomat e mësuesit janë vështirësisht të transferueshme jashtë vendit. (Rreth 20% e numrit total të studentëve)
Ai ka pësuar ndryshime inkonseguente. Psh, nga diploma të kombinuara u kalua, thuajse në masë, në diplomë vetëm në një lëndë;
Bachelor është jo fleksibël dhe masteri një vjecar, është së paku, për shkollën e mesme, i pamjaftueshëm;
Përmbajtja është pak e reformuar në raport me kërkesat/standardet e studimeve në mësuesi. Aftësitë pedagogjike dhe didaktike të pakënaqshme, për shkak edhe të kohës shumë të shkurtër të praktikës mësimore;
Imputi shumë i vogël nga shkollat perëndimore në burimet njerëzore të fushave të mësuesit;
Për një kohë relativisht të gjatë shumica e studentëve të regjistruar në mësuesi kanë qenë nën nivelin mesatar;
Aftësi të pamjaftueshme në PC dhe komunikim.
Kompetenca të pamjaftueshme në rolin e edukatorit.
Reforma e mësuesisë përfshin riorganizimin e studimeve universitare, kualifikimin e vazhduar të mësuesve si dhe hallkat e tjera të rekrutimit dhe karrierës. Kjo reformë është në kohën e duhur. Efektet e saj janë afatgjata. Si e tillë ajo duhet projektuar dhe zbatuar me shumë kujdes. Finlandës iu deshën 22 vjet që të vjelë frytet e reformës në mësuesi. PISA 2000 e renditi Finlandën në vendin e parë dhe faktori kyç u konsiderua reforma e mësuesisë e filluar që në vitin 1978.
Konferenca e sotme do të fokusohet vetëm në riorganizimin e studimeve universitare në fushën e mësuesisë (pre-service teacher eduacation”).
Në këtë kontekst, reforma nënkupton:
Përshtatjen e një strukture të re të studimeve duke iu përmbajtur strukurës me tre cikle të Bolonjës. Në të gjitha universitetet do të përshtaten studimet e „Masterit në shkencat e edukimit“ me kohëzgjatje 2 vjet për mësues të shkollës së mesme të përgjithshme dhe profesionale si dhe 1.5 vjet për mësues të shkollës së mesme të ulët (klasa 6-9). Ky model mbështetet kryesisht në përvojën e Finlandës.
Implementimin e modelit të përshtatur të Finlandës për formimin e mësuesve në nivelet e integruara Bachelor dhe Master në Universitetin e Elbasanit, në formën e një projekti pilot.
Atashimin e 1-2 shkollave 9-vjecare dhe të mesme pranë universiteteve që përgatisin mësues për të realizuar praktikën e plotë të studentëve si dhe kërkimet shkencore në fushën e edukimit. Do të fillojmë me Elbasanin. Shkolla normale bëhet pjesë e Universitetit.
Ngritjen e Qendrave të Ekselencës Didaktike pranë universiteteve, që do të shërbejnë për kërkime shkencore në fushën e edukimit, formimin didaktik të mësuesve dhe asistentëve të universiteteve.
Përshtatjen e numrit të studentëve në fushën e mësuesisë, veçanërisht në nivelin Master, në përputhje me nevojat e sistemit arsimor. Që këtë vit akademik do të ketë një ndryshim radikal të strukturës së kuotave në shkollat e larta, ku përparësi do të marrin ekonomia, shkencat teknike inxhinierike, matematika, shkencat natyrore dhe ICT.
Faleminderit.
|
|